Mihal Zallari

1896-1976 / Frashër

Syt' E Pafajshëm

I qetë duket nëpër frëngjitë
Një copë qielli
Mbi mur' e ftohtë hedh pakëz dritë
Një reze dielli.

Te port' e burgut syt' e pafajshëm
Të një fëmije
Qeshin, se s'qajnë syt' e përmallshëm
Të sime bije.

Te hekurat qepur fytyr' e ndritur
E gruas trime
Shikim i ëmbël më heq papritur
Të errtat mendime.

Mëmë dhe bijë, piktur' magjike
E paharruar!

O port' e burgut, suaz' tragjike,
Ti qofsh bekuar!
144 Total read