Këtu jam! I mbështetur te pragu i shtëpisë.
Pa kthim rrënuar janë kujtimet e rinisë!
Këtu jam, duke pritur mos dalë dikush përpara.
Rreth meje, brenda meje,-kudo vetëm gërmadha.
O Zot! Si isht' e mundur një vepër kaq e zezë!
Shtëpitë shoh të digjen pa rën' e para rezë,
Shoh pleq e gra të ikin, fëmijët zbath përdore,
Se s'deshën të mohojnë përpjekjet shekullore
I pikëlluar ngrihem, ngas fshatin anembanë
Shëtis oborr-e shkollës, këpus një degë thanë,
Zbres poshtë te mulliri gjat vijës nënë hije,
Në ethe duke ndjekur gjurmët e një fëmije.
Kjo kaçkë e çrrënjosur, që gjuanim me gurë,
Kjo shtyllë anës lumit, ku ish dikur një urë,
Këtu ky lëm i shembur, ku bënim festa mundit,
Çdonjëra plag'e hapur në trupin e katundit.
Por gurrat e teqesë, siç rridhnin, prapë rrjedhin,
Dhe lisat e Shën Kollit hijet, që hidhnin hedhin
Aromë lëshon toka, ësht' kaq e bukur dita
Sikur kam dal nga burgu e ëmbël është drita.
Edhe një herë sillem rreth vatrës së rinisë,
Me mall të dyfishuar puth pragun e shtëpisë'
Pastaj në mes të fshatit te shesh'i kishës kthehem
Dhe pranë varrit të gjyshit nën qiparisa ndehem.
Përballë meje shkëmbi siç ishte-vijëmprehtë!
Rreth meje horizonti siç ishte-vijëqetë!
Dhe prapë thell'e ndjej, që t'gjitha kan ndryshuar
Që zemra ime është përjet'e varfëruar.
Atje te der' e kishës, mbi murin e hajatit,
Qëndron gati e shuar ikon' e shën Thanasit,
Por syt'e e qetë flasin, në shpirt sikur më shohnë
'Esht, biro, von' më thonë: sa të jesh gjall: është vonë'.
Ndërkaq nata shtrihet prej pyllit mbi luginë.
Një cjap i zi vërret te shkëmbi mbi greminë.
Dhe un' përgjoj në heshtje me shpirt të turbulluar
Sikur t'thërrit ndërgjegjja e veprës së mallkuar.
Mesnatë! Gjithë sendet po heshtin dhe përgjojnë
Me to përgjoj dhe unë gurrat, që murmurojnë
Dhe nëpër murmurime ndërgjoj pastingëllime
Nga koha, kur e lumtur, këndonte zëmra ime.
Prill 1947