Irma Kurti


Zëri Yt Nuk Mbërrin Atje -

ZËRI YT NUK MBËRRIN ATJE

S'e di nëse do t'i kthehesh kësaj historie

ashtu si një libri kur sërish e shfletojmë,

nëse padashur do të të shpojnë gjembat

teksa lulet e pranverën kërkon tek ajo.

A thua do të të ngrohë si diell kujtimi saj

e do duash ta rijetosh me mëndje çdo stinë?

Apo dielli do të duket i ftohtë dhe i zbehtë,

ashtu siç ndodh kur pas reve i fshehur rri.

Do të ndjesh mall, dashuri, a boshllëk,

apo do të ngjajë veç një histori e harruar,

do të më kërkosh në vargjet që kam lënë,

o do t'i quash të trishta, do i flakësh tutje?

E nëse do të më dëshirosh ashtu si atëhere,

zemrën e trupin me njëri-tjetrin ta ndajmë,

ndoshta për një çast do harrosh ku gjëndem,

me siguri do t'më thërrasësh me zë të lartë.

Do kalojnë minuta e ti do të shqetësohesh

për mua, që në takime s'vonohesha kurrë.

Mjegulla dalëngadalë do nisë të rrallohet

e vuajtja të gjitha mendimet do t'i mundë.

Do të kujtohesh që jam larg, në parajsë,

të kisha thënë: "Për mua mos u trishto",

ka mundësi zëri yt nuk mbërrin gjer atje

e asnjë mjet trasporti tek ti s'më sjell dot.
97 Total read