Irma Kurti


Perla

Kjo është kohë e vyshkjes së vlerave,

e humbjes së miqve një e nga një,

ashtu si pemët i humbasin gjethet,

ndërsa stin' e vjeshtës troket në ditë.

Është kohë e njerëzve të nervozuar,

të zemëruar, as ata s'dinë me kë.

E njerëzve që nuk dinë të heshtin,

e atyre që flasin, por s'thonë asgjë.

Janë aq të rrallë miqtë, aq të rrallë,

gjen ndonjërin, s'të duket e vërtetë,

e shtrëngon në pëllëmbë të dorës

si një zbulim, të ngjan me një perlë.

E ruan me fanatizëm dhe trëmbesh

mos të humbet, nga duart të bjerë,

pastaj kur hap pëllëmbën shtangesh,

shikon se është zhdukur, s'është më.

Atëherë pendimi, vuajtja të pushton,

dyshon, dënon veten se është faji yt,

pastaj kupton: e ke shtrënguar aq fort

sa befas i zure frymën dhe e mbyte.

Ndoshta pikërisht prandaj e humbe,

pse e adhuroje atë perlë…
135 Total read