Irma Kurti


Nuk Shitet Kjo Shtëpi

NUK SHITET KJO SHTËPI

Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi,

aty flenë e zgjohen miliona kujtime,

si thërrmija të bardha enden në ajër

bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.

Në korridorin e tkurrur nga vetmia

jehojnë ende hapat e prindërve të mi,

ecejaket e lehta të nënës e mbushnin

si simfoni hyjnore të gjithë shtëpinë.

Hyj në kuzhinë: divanët e lodhur -

njëri prej tyre ku mbështetej tim atë,

mund të duket i vjetër, gati i rrënuar,

por ai prezencën e tij akoma e mban.

Në aneksin e vogël, dy hapa më tutje

ndihet aroma e kafesë së ngrohtë,

s'e krahasoj me parfumet më të mira

që shiten nëpër dyqanet pafund sot.

Ky kuadër me bojëra vaji mbi mur,

ku në ishull strehohet një shtëpi-vilë,

përmbledh dëshirën time për të jetuar

tok me familjen, në një botë më të mirë.

Kujtimet i japin një vlerë që s'llogaritet,

e bëjnë shumë të shtrenjtë, jo si çmim-

po për shpirtin, zemrën, ndjesitë e mia.

Nuk shitet, as mund të blihet kjo shtëpi!
117 Total read