Irma Kurti


I Dashur, Ti S'Mund Ta Dish

Ti s'e kupton ç'do të thotë të jesh i huaj

në një vend të bukur e magjepsës si ky,

të të mungojë gjithçka, tek e fundit asgjë:

një copë kartë me emrin "leje qëndrimi".

Ti s'e ke provuar të ecësh në rrugë si hije

sepse emri tënd s'ekziston në asnjë zyrë,

shikon ëndrrat të shkelen nën hapat e tu,

se askush emrin s'ta shqipton, je anonim.

Të ëndërrosh syhapur të takosh të afërmit,

të mund të kthehesh veç njëherë në atdhe,

ta ndjekësh me vështrim një avion në qiell,

të flesh pak se ankthi dhe malli nuk të lenë.

Ti nuk e ke provuar të të shtyjnë me forcë

duart e ushtarit që ndajnë të dy kufinjtë,

nëse një çast në sy do të guxosh ta shikosh,

atje zemërimi shkrep porsi një shkëndijë.

Ti nuk di se ç'do të thotë të nënqeshin me ty

teksa fjalën e duhur rrekesh ta gjesh më kot,

sesi ndihesh i vogël, pa vlerë, vetëm një hiç

e dëshiron në çast të zhdukesh nga kjo botë.

I dashur, ti s'mund ta kuptosh edhe sikur

pranë zjarrit, të flas pareshtur natë e ditë,

se vuajtja nuk ka zë, as dhimbja gjithashtu,

ç'do të thotë të jesh i huaj, ti s'mund ta dish.
103 Total read